Në shërbim të Jetës!

Në shërbim të Jetës!

Në mjediset e Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u zhvillua një ceremoni e veçantë me mjekët specializantë, të cilët sapo kanë përfunduar ciklin e III-të të studimeve, specializimin 4-vjeçar në degë të ndryshme të Fakultetit të Mjekësisë. 116 mjekë të specialiteteve të ndryshme janë gati për t’u atashuar pranë strukturave të ndryshme spitalore në të gjithë vendin. Një pjesë e tyre kanë nënshkruar kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ndërsa shumë të tjerë mund të aplikojnë në Portalin “Mjekë për Shqipërinë”.

Fjala hapëse përshëndetëse u mbajt nga 2 specializantë, që sapo përfunduan këtë cikël: Anri Gongo, specializant anestezi-reanimacion dhe Aldi Shani, specializant kirurgji e përgjithshme, të cilët shprehën falenderimet dhe gadishmërinë e tyre, për të ofruar gjithë dijet, kapacitetin dhe kontributin e tyre në të gjithë Shqipërinë.

Rektori i Universitetit, Prof. Arben Gjata, në fjalën e tij përshëndetëse dha këshillat e tij për të gjithë specializantët sot, kolegë nesër: -Mjekësia është punë në ekip dhe ju të gjithë duhet të bashkëpunoni dhe përfitoni nga më të mëdhenjtë në moshë dhe eksperiencë, të bashkëpunoni me ta. Të shenjtë për ju duhet të jenë jeta, shëndeti i pacientëve dhe profesionalizmi juaj.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Prof. Xheladin Draçini, pasi falënderoi të gjithë stafin akademik vuri theksin tek: Elementi i Meritokracisë dhe preferencës së zgjedhjes së degëve si pikësynim i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe në mënyrë të veçantë Fakultetit të Mjekësisë, sidomos në këto 7 vitet e fundit, ku miti i ndërhyrjes nuk ekziston më.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Znj. Ogerta Manastirliu përshëndeti të gjithë të ftuarit dhe specializantët dhe fokusi në fjalën e saj ishte për momentin e shumëpritur, për sfidat që i pret mjekët specializantë, të cilët preferojnë të japin kontributin e tyre në vendin tonë. Globalizimi është një fenomen i pandashëm i procesit, ku mjekë zgjedhin të jetojnë dhe kontribuojnë jashtë. Por ju që zgjidhni të kontribuoni në vendin tonë jeni vlerë e investimit shumëvjeçarë. Znj. Manastirliu, falenderoi në mënyrë të veçantë kardiokirurgun e talentuar dr. Albi Fagu, i cili ka zgjedhur të japi kontributin e tij, në Shqipëri, pas një eksperience disavjeçare në Gjermani. Vlen për t’u përmendur edhe autonomia spitalore një sfidë e filluar tashmë, e cila do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë.

UMT iu uron suksese mjekëve të rinj specialistë, punë të mbarë kudo ku do kontribuojnë në shërbim të pacientëve, në shërbim të Jetës!