Shuhet bota e Prof. Ilir Ohrit!

Shuhet bota e Prof. Ilir Ohrit!

Thonë se sa herë shuhet një njeri, shuhet një botë. Shuhen tiparet e një bote, që i përkiste veç një njeriu.
Sot është shuar bota e Prof. Ilir Ohrit, e cila ishte një botë e përveçme në botën e pafundme të mjekësisë shqiptare.
Kush e ka njohur dhe kush ka prekur personalitetin e përveçëm të Prof. Ilir Ohrit, mund të pohojë se ai ishte një njeri dhe një profesionist i papërsëritshëm.
Prof. Ilir Ohri nuk mund të përsëritet, ndaj sot u shua bota e Profesor Ohrit.
Një botë unike në llojin e saj.
Një botë, ku të qenit thellësisht njeri dhe skajshmërisht profesionist, kulmonte te personaliteti i Ohrit, që nuk u mundua asnjëherë ta korrigjonte botën që e rrethonte, por mjekoi çdo plagë të saj me përunjësinë e një të urti dhe përkushtimin e një profesionisti.
Mund të shkruhet gjatë për Prof. Ilir Ohrin duke faktuar data, vende dhe emra institucionesh jetëshkrimin e tij, por personaliteti i tij atipik mund të përmblidhet me një togfjalësh “Bota e Ohrit”.
Universiteti i Mjekësisë, Tiranë shpreh ngushëllimet për familjen dhe miqtë e Prof. Ilir Ohrit!