CEREMONIA E DHËNIES SË TITULLIT “DOCTOR HONORIS CAUSA”  PËR DR. KEITH D. FLACHSBART NGA UNIVERSITETI I MJEKËSISË, TIRANË

CEREMONIA E DHËNIES SË TITULLIT “DOCTOR HONORIS CAUSA” PËR DR. KEITH D. FLACHSBART NGA UNIVERSITETI I MJEKËSISË, TIRANË

Ditën e Martë, më datë 17.03.2015, ora 12:00, në Auditoriumin “Galileo Galilei” të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë u organizua ceremonia e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa” për kardiokirurgun e mirënjohur amerikan Dr. Keith D. Flachsbart.

Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të lartë të jetës akademike, shoqërore dhe intelektuale të vendit. I pranishëm në këtë ceremoni ishte Ministri i Shëndetësisë Z. Ilir Beqaj.

Ceremonia u zhvillua gjatë mbledhjes së hapur të Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë dhe filloi nën intonimin e Himnit Kombëtar Shqipëtar dhe Himnit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ceremoninë e deklaroi të hapur Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari me fjalimin e tij në nder të Dr. Flachsbart. Rektori Refatllari u shpreh se, “Dita e sotme është një ditë e veçantë për të gjithë stafin akademik, për studentët dhe për mua si Rektor, pasi është hera e parë që titulli prestigjoz “Doctor Honoris Causa” jepet nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë dhe është një nder i vertetë që të vlerësojmë sot me këtë titull Dr. Keith Flachsbart.

Me titullin Doctor Honoris Causa vlerësojmë, jo vetëm kontributin e parreshtur dhe angazhimin maksimal, por edhe humanizmin dhe thjeshtësinë që ka treguar Dr. Flachsbart në ndihmë të mjekësisë shqiptare. Dr. Flachsbart ka shërbyer aty ku ndjeu nevojën se duhej të ndihmonte, si mjek profesionist me përmasa krijuese, ai shëroi njerëzit dhe dha njohuritë e tij, duke kombinuar me sukses studimet shkencore dhe profesionalizmin në fushën e mjekësisë. Ky vlerësim që i bëhet sot Dr. Keith Flachsbart është një motiv krenarie për Universitetin tonë dhe për të gjithë shqiptarët që ai ka asistuar. Universiteti i Mjekësisë, Tiranë e konsideron dhënien e titullit “Doctor Honoris Causa” si një shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e vazhdueshme që Dr. Flachsbart ka dhënë për vendin tonë, duke shprehur kështu falënderimin e mjekëve, specializantëve, studentëve dhe pacientëve shqiptarë”.

Në vazhdim të ceremonisë e morën fjalën dy reçentët e nderuar, Prof. Dr. Artan Goda, President i Shoqatës Shqiptare të Kardiologjisë dhe Akademik i Asociuar Prof. Dr. Anesti Kondili, Zv. Rektor i Albanian University.

Prof. Dr. Artan Goda mori fjalën në reçenzën e tij, duke vlerësuar karrierën e gjatë dhe të sukseshme të Dr. Flachsbart, i cili ka shërbyer si Kirurg Kardiotoraksi në Klinikën e Marshfield, në Wisconsin. Ka qenë themeluesi i Departamentit të Kirurgjisë Kardiotoraksi në Qendrën Mjekësore “Kaiser Permanente Medical Center”, në San Francisco të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka shërbyer si Përgjegjës i Departamentit për shumë vite. Përveç aktiviteteve humanitare dhe vizitave të shumta në Shqipëri, Dr. Flachsbart ka shërbyer edhe në Saint Petersburg të Rusisë ku ka asistuar mjekët rusë me trajnime në teknikat e avancuara të kirurgjisë dhe kryerjen e procedurave komplekse. Në Shqipëri, Dr. Flachsbart ka dhënë kontributin e tij të vyer në Shërbimin e Kadiokirurgjisë së Qendrës Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza” (QSUT) dhe ka transmetuar njohuritë e tij pedagogjiko-shkencor, duke ndihmuar dhe trajnuar me profesionalizëm të lartë ekipin e mjekëve tanë kardiokirurgë. Dr. Flachsbart ka dëshmuar se ka është një profesionist i fushës së kardiokirurgjisë dhe ka ndihmuar Shërbimin tonë të zhvillojë ndërhyrje që më parë nuk ishin të menduara t’u realizonin në Shqipëri. Ai ka asistuar në periudhën më të vështirë të vendit tonë dhe ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme. Prof. Dr. Goda kujtoi, gjithashtu, se janë të shumta leksionet dhe seminaret që Dr. Keith D. Flachbart ka dhënë gjatë viteve për studentët e Fakultetit të Mjekësisë dhe veçanërisht specializantet e kardiokirurgjisë, duke i ndihmuar ata edhe në sallat e operacionit.

Në reçenzën e tij, Prof. Dr. Anesti Kondili u shpreh se sot nderohet nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë një mik i shquar i popullit shqiptar. Ky është një vlerësim në sajë të kontributit të madh që Dr. Flachsbart ka dhënë në Shqipëri, duke asistuar kardiokirurgët shqiptar në operacionet e klasit të parë. Prof. Dr. Kondili kujtoi, gjithashtu, faktin që Dr. Keith D. Flachbart, për një periudhë shumëvjeçare, ka qenë mbi 25 herë në Shqipëri në kuadër të bashkëpunimit me Qendrën Spitalore Universitare Tiranë “Nënë Tereza” (QSUT) dhe Albanian Health Foundation. Ai ka asistuar në ndërhyrjet e shumta kirurgjikale dhe duke transmetuar dijet e tija në zhvillimin e Kardiokirurgjisë Shqiptare në pergjithësi dhe realizimin e by-passit koronar në veçanti. Gjithashtu, ai ka dhënë edhe një suport me vlera të konsiderueshme materiale dhe financiare në favor të Shërbimit të Kardiokirurgjisë, duke sjellë proteza valvulare, oksigjenatorë, instrumenta kirurgjikale, etj. Të këto dëshmojnë qartë se Dr. Keith D. Flachsbart se ka qenë dhe është jo vetëm një një specialist i mirëfilltë në fushën e kardiokirurgjisë por mbi të gjitha një mik i mirë i vendit tonë.

Pas fjalës së dy reçentëve, rradhën e kishte ceremonia e dorëzimit të diplomës nga ana e Rektorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë Prof. Dr. Ali Refatllari, i cili i dha titullin Doctor Honoris Causa” Dr. Keith D. Flachsbart me motivacionin “Për kontributin e tij të veçantë në bashkëpunim me shkollat e larta dhe posaçërisht me Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, në fushën shkencore, të metodave të mësimdhënies dhe kualifikimit profesional në Profilin e Kardiokirurgjisë”. Së bashku me titullin, Rektori Prof. Dr. Ali Refatllari i dhuroi Dr. Keith D. Flachsbart edhe një skulpturë të Dorës së Rodinit, në shënjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e duarve të tij të arta prej kardiokirurgu.

Në vazhdim fjalën e mori Dr. Keith D. Flachsbart, i cili shprehu falënderimin e tij për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë për pritjen dhe vlerësimin e lartë që iu dha. Dr. Flachsbart u shpreh se është një nder i vërtetë të marrësh sot një titull kaq të rëndësishëm siç është titulli “Doctor Honoris Causa” dhe ky vlerësim e angazhon moralisht për të dhënë një kontribut të mëtejshëm në të mirë të Shqipërisë dhe të Kardiokirugjisë Shqiptare.

 

Kronikë e realizuar nga Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), me rastin e ceremonisë

 

 

                                                                                             REKTORATI

Përditësimi i fundit: 18.03.2015    

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *