NJOFTIM MBI REGJISTRIMIN E UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË NË DATABAZËN E STUDIMEVE KLINIKE “CLINICALTRIALS.GOV”

NJOFTIM MBI REGJISTRIMIN E UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË NË DATABAZËN E STUDIMEVE KLINIKE “CLINICALTRIALS.GOV”

 

 

Rektorati i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë ka nderin të njoftojë pedagogët, kërkuesit shkencorë dhe hulumtuesit klinikë për regjistrimin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë në databazën ndërkombëtare të regjistrimit të të dhënave klinike “ClinicalTrials.gov”, e cila mund të konsultohet në listën e mëposhtme të Institucioneve Mjekësore dhe Shkencore të regjistruara:

https://clinicaltrials.gov/ct2/prs-orgs

ClinicalTrials.gov është një databazë online që u ofron profesionistëve të kujdesit shëndetësor, studiuesve dhe publikut të gjërë një qasje më të lehtë në informacionet klinike mbi sëmundjet dhe rastet e ndryshme. Kjo bazë të dhënash është e rëndësishme për informimin e saktë të personelit shëndetësor mbi qasjet, protokollet e përdorura dhe veçoritë e studimeve klinike. ClinicalTrials.gov mundësohet dhe mirëmbahet nga Biblioteka Kombëtare e Mjekësisë (National Library of Medicine (NLM)) e Instituteve Kombëtare të Shëndetit (National Institutes of Health (NIH)) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aktualisht, ClinicalTrials.gov përmban mbi 213,000 studime dhe raste klinike me vendndodhje në 50 shtetet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në 193 vende të botës.

Për të patur mundësinë e regjistrimit të studimeve tuaja klinike në databazën ClinicalTrials.gov, Ju lutemi të kontaktoni me Sektorin e Komunikimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Rektoratin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë.

Çfarë informacioni mund të gjeni dhe të vendosni në ClinicalTrials.gov?

ClinicalTrials.gov organizohet në rekorde dhe paraqet një informacion përmbledhës mbi protokollet e studimeve, si më poshtë:

      • Sëmundjen ose gjendjen e pacientit.
      • Ndërhyrjen e kryer, sjelljen ose procedurën e studiuar.
      • Titullin, përshkrimin, dhe dizajnin e studimit.
      • Kriteret e përshtatshmërisë të pacientit.
      • Vendet ku është kryer studimi.

Informacionet përkatëse mund të publikohen në studime dhe të citohen në artikujt shkencorë në fushën e mjekësisë në Revistat shkencore si MedlinePlus® dhe PubMed®, etj.

Çdo studiues që zbaton standardet e Komitetit Ndërkombëtar të Botuesve të Revistave Shkencore Mjekësore (International Committee of Medical Journal Editors (ICMJE)) ka detyrim që të regjistrojë studimet klinike në ClinicalTrials.gov.

                             

                                  REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më 18.04.2016

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *