PROF. DR. NESTOR THERESKA, PROF. DR. JUL BUSHATI, PROF. DR. AGRON YLLI DHE PROF. DR. ORION GLIOZHENI DEKOROHEN ME TITULLIN “MJESHTËR I MADH” NGA PRESIDENTI I REPUBLIKËS

PROF. DR. NESTOR THERESKA, PROF. DR. JUL BUSHATI, PROF. DR. AGRON YLLI DHE PROF. DR. ORION GLIOZHENI DEKOROHEN ME TITULLIN “MJESHTËR I MADH” NGA PRESIDENTI I REPUBLIKËS

Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, ka nderin e veçantë të informojë se më datë 22 Qershor 2017, Profesorët e shquar të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Prof. Dr. Nestor Thereska, Prof. Dr. Jul Bushati, Prof. Dr. Agron Ylli dhe Prof. Dr. Orion Gliozheni u dekoruan me Titullin “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Republikës SHTZ. Bujar Nishani.

Ky vlerësim është një nderim i lartë për kontributin e tyre të çmuar në fushën e mjekësisë dhe në formimin e brezit të ri mjekësorë.

Prof. Dr. Nestor Thereska është mjek i shquar, i cili ka shërbyer për shumë dekada si mjek, si pedagog në Fakultetin e Mjekësisë dhe si përgjegjës i Shërbimit të Nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë.
Në vitin 1995- 1997 ka qenë Rektor i Universitetit të Tiranës, si dhe President i Rektorëve të Universiteteve Shqiptare. Në vitin 2002 ka marrë titullin: “Oficer” i Palmës Akademike Franceze. Në vitin 2005 është zgjedhur President i Shoqatës Shqiptare të Nefrologjisë dhe që nga ky vit në vazhdim përfaqëson Shqipërinë në aktivitetet shkencore botërore të fushës së Nefrologjisë. Prof. Dr. Nestor Thereska ka qenë përgjegjës i Shërbimit të Nefrologjisë.
Prof. Thereska është personalitet i shquar i shkencës së mjekësisë dhe një specialist i mirënjohur në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e Nefrologjisë.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Prof. Dr. Nestor Thereskës Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për veprimtarinë e gjatë humanitare e shkencore prej disa dekadash si mjek në shërbim të disa brezash pacientësh, si dhe për kontributin e shquar pedagogjik si profesor dhe anëtar i shumë forumeve e institucioneve ndërkombëtare në fushën e tij”.

Prof. Dr. Jul Bushati është mjek i shquar. Ai ka shërbzer si mjek në Institutin e luftës kundër Tuberkulozit. Nga viti 1980 ai ka qenë Shef i repartit të diagnozës dhe terapisë intensive pneumologjike në Institutin e luftës kundër Tuberkulozit dhe Pedagog i jashtëm në Fakultetin e Mjekësisë. Në vitin 1983 ai ka qenë Shef i klinikës III të Institutit të Ftiziopneumologjisë. Në vitin 1992 ai u caktua Shef i Shërbimit të Pneumologjisë në Fakulteitn e Mjekësisë dhe i klinikës I në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”, në Tiranë. Në vitin 2010 ai u caktua Shef i klinikës III në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive “Shefqet Ndroqi”,Tiranë. Në vitin 2012-2014, Prof. Dr. Jul Bushati ka qenë Lektor, Dekan, Rektor i IALP ’ISSAT’. Në vitin 1980, Prof. Dr. Jul Bushati ka dhënë leksione në lëndën e Ftiziopneumologjisë dhe në vitin 1988 ka dhënë leksione në lëndën e Pneumologjisë në Fakultetin e Mjekësisë. Prof. Dr. Jul Bushati ka mbajtur funksione si Anëtar i Këshilli shkencor të Institutit të luftës kundër tuberkulozit; në vitet 1985-1988, Anëtar i Komisionit shëndetësor pranë Komitetit të Shkencës dhe Teknikës, në Kryeministri; në vitet 1992-1997, ka qenë Kryetar i Shoqatës së Pneumologjisë; në vitet 1992-1997 ka qenë Anëtar i Komisionit Kombëtar të luftës kundër SIDA-s; në vitin 1993 ka qenë Anëtar i grupit të punës pranë OMS për “Tuberculosis Control in Europe and International Migration”; në vitet 2006-2010 është caktuar Ekspert i programit nacional të tuberkulozit për MDR-TB; n; vitet 1997-2002 është caktuar Ambasador pranë Selisë së Shenjtë, në Vatikan; në vitet 1992-1997 ka qenë Anëtar i kolegjimit “Revista Mjekësore”; në vitet 2003-2008 ka qenë Anëtar i redaksisë “Revista e Sëmundjeve Pulmonare” dhe në vitet 2008-2011 ka qenë Kryeredaktor “Revista e Sëmundjeve Pulmonare”.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Prof. Dr. Jul Bushatit Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për veprimtarinë e gjatë humanitare e shkencore si mjek në shërbim të disa brezash pacientësh; për kontributin e shquar pedagogjik si profesor e anëtar i shumë forumeve e institucioneve ndërkombëtare të fushës së tij, si dhe për rolin e tij si përfaqësues i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në Vatikan”.

Prof. Dr. Agron Ylli është mjek i shquar dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Gjithashtu ai është përgjegjës i Shërbimit të Endokrinologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë.
Në vitin 2016 ka qenë Kryetar i Këshillit të Profesorëve të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Prof. Ylli është President i Shoqatës Shqiptare të Endokrinologjisë dhe anëtar i Shoqatës Evropiane të Endokrinologjisë. Ai është përfaqësues i Shqipërisë në aktivitetet shkencore botërore të fushës së Endokrinologjisë dhe është i njohur në fushën akademike ndërkombëtare për shkrimet akademike dhe projektet evropiane që Prof. Dr. Agron Ylli ka koordinuar.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Prof. Dr. Agron Yllit Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për kontributin e njohur intelektual dhe punën e palodhur si mjek, duke u shërbyer me përkushtim disa brezash pacientësh; për ndihmesën shumëvjeçare si pedagog e drejtues i shërbimeve të ndryshme mjekësore, anëtar i shoqatave ndërkombëtare të Endokrinologjisë, si dhe autor i shumë teksteve e artikujve shkencorë të profilit të tij”.

Prof. Dr. Orion Gliozheni është mjek i shquar dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Gjithashtu ai është Përgjegjës i Departamentit të Obstretikë-Gjinekologjisë dhe përgjegjës i Shërbimit të Gjinekologjisë në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koço Gliozheni” Tiranë. Ai është i diplomuar në fushën e inxhenierisë dhe të mjekësisë, dhe është specializuar në mjaft universitete të huaja në fushën e Obstretikë-Gjinekologjisë.
Prof. Dr. Gliozheni ka qenë Kryetar i Këshillit të Etikës së Universitetit të Mjekësisë, Tiranë. Ai është Anëtar i Shoqatës Franceze të Gjinekologëve, Anëtar i Shoqatës Evropiane të Gjinekologëve, Anëtar i Shoqatës Evropiane të Kontraceptimit, Anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të Ultrazërit në Obstetrikë dhe Gjinekologji, Presidenti i degës shqiptare të IAMANEH, Anëtar i ESHRE, Drejtor i degës shqiptare të shkollës “Ian Donald” të Ultrazërit. Ai është përfaqësues i Shqipërisë në aktivitetet shkencore botërore të fushës së Obstretikë-Gjinekologjisë dhe është i njohur në fushën akademike ndërkombëtare për shkrimet akademike dhe projektet evropiane.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi Prof. Dr. Orion Gliozhenit Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Për kontributin e gjatë dhe punën e palodhur humanitare si mjek profesionist duke u shërbyer pacientëve të panumërt e fëmijëve, duke realizuar për herë të parë në Shqipëri shërbimin e fekondimit “in-vitro”, si dhe për rolin e tij intelektual e shkencor, si drejtues projektesh e kërkimesh, në shumë forume e institucione ndërkombëtare shkencore mjekësore”.

Nderimi i këtyre personaliteve të mjekësisë shqiptare është një vlerësim i punës së palodhur profesionale dhe kontributit të lartë shkencor, që këto profesorë të nderuar kanë dhënë në shërbim të pacientëve, në specialitetet e tyre, dhe është, gjithashtu, një nder i madh për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, që pedagogët e tij të nderohen me titujt më të lartë për kontributin e tyre që kanë dhënë për mjekësinë shqiptare.

 

REKTORATI I UNIVERSITETIT TË MJEKËSISË, TIRANË

Publikuar më: 22.06.2017

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *